Author Topic: Olldashi: Kabllogramin për ‘Durrës-Kukës’ e ka bërë Julian Assange, jo Withers  (Read 6337 times)

0 Members and 1 Guest are viewing this topic.

Offline ASNF

  • New Member Group
  • *
  • Posts: 9
Source: http://www.shekulli.com.al/shekulli/2011/09/03/kryeministri-rrezikoi-me-vetedije-jeten-e-mijera-udhetareve/

Qeveria reagon për herë të parë publikisht në lidhje me kabllogramet e Ambasadës Amerikane në Tiranë që u publikuan nga faqja e internetit Wikileaks.

Sokol Olldashi, ministër i Transporteve vë në dyshim vërtetësinë e tyre, sidomos për pjesën që lidhet me rrugën Durrës-Kukës, duke pretenduar se nga miliona informacione qe kane tronditur diplomacine boterore, ato qe jane shkruar per Olldashin e Shqiperise, jane hartuar nga vete Wikileaks, jo nga diplomatet amerikane

“E para unë nuk kam asnjë konfirmim që ky është një informacion që ka dalë nga Ambasada Amerikane dhe informacioni vjen nga faqja e Wikileaks. E dyta është një informacion tërësisht i provueshëm. Ju keni arkivat tuaja dhe mund t’i hapni dhe verifikoni. Tuneli është shembur në datën 5 nëntor të vitit 2008, ndërkohë që është rihapur. Ceremonia e inaugurimit është bërë në qershor të 2009-s dhe nga ky muaj nëse ka një ditë që tuneli nuk ka qenë funksional, atëherë keni të drejtë”, tha Olldashi.

Ai mohon që Bechtel të ketë kërkuar mos hapjen e tunelit në qershor, edhe pse në shkresat e Ambasadës Amerikane thuhet se vetë drejtori i Bechtel, Michael Adams është përpjekur të bindë kryeministrin Berisha të mos e hapë tunelin në qershor.

“Nuk ka asnjë deklaratë të drejtorit të Bechtel, ju mund t’i drejtoheni vetë Bechtel zyrtarisht dhe të merrni një përgjigje. Nuk ka asnjë deklarim të drejtorit të Bechtel, janë të gjitha spekullime. Ne kemi qenë në bashkëpunim të përditshëm me kompaninë, veçanërisht për tunelin, sepse ai ishte pjesa më e vështirë e rrugës. E gjitha ajo është një çartje e madhe e cila as nuk e di se nga vjen dhe as për ku është nisur”, theksoi Olldashi.

Por a janë informacionet ne lidhje me Durrës-Kukës që Ambasada Amerikane i ka nisur Departamentit të Shtetit të pasakta, sipas kreut të Transporteve?

“Nuk mund të them nëse ka gënjyer ambasadori Withers për sa kohë që nuk di nëse kjo është një shkresë ose jo e zotit Withers. Kjo është një shkresë që del nga Wikileaks. E provoni dot që është shkresë e zotit Withers? Nëse e provoni atëherë hajdeni më pyesni dhe unë do ju përgjigjem”, theksoi Olldashi.

Tuneli i rrugës Durrës-Kukës u shemb për herë të parë në dhjetor të vitit 2008, kur ishte ende në ndërtim.

Shembja u riparua nga Bechtel dhe në 27 qershor të vitit 2009 qeveria shqiptare inaguroi rrugën.

Por siç vërteton edhe ky dokument zyrtar i Ministrisë së Punëve Publike vetëm pak muaj pas hapjes së tij, në 11 tetor 2009, tuneli u rimbyll sërish, në të dy kahet e tij për shkak se paraqiste rrezikshmëri dhe që kompania duhet të kryente edhe disa punime të tjera.

Siç thuhet edhe në deklaratën për shtyp të Ministrisë, kalimi në rrugën e re Durrës-Kukës do të ishte i pamundur për një periduhë disa javore, por që në fakt zgjati disa muaj.

 

 

 

 

**************************

 

 

Kryeministri rrezikoi me vetëdije jetën e mijëra udhëtarëve

 

Në dhjetra kabllogramet e Wikileaks trajtohet politika shqiptare gjerë e gjatë, qeveritarë e opozitarë, gazetarë e aktivistë të shoqërisë civile, humoristë e të përndjekur, gati-gati kushdo që ka dalë ndonjëherë në televizor. Disa prej këtyre kabllogrameve përmbajnë një  informacion për të cilin publiku shqiptar duhet të jetë më sensitiv. I tillë është kabllogrami i datës 17 prill 2009, me titull “BECHTEL TO GOA: DON›T OPEN THE DURRES-KUKES ROAD IN JUNE” (Bechtel për qeverinë shqiptare: Mos e hapni rrugën Durrës-Kukës në qershor”. Tekstin e këtij kabllogrami e kemi përkthyer të gjithin dhe po e botojmë, pa ndërhyrje redaksionale. Secilit paragraf i kemi shtuar një koment të shkurtër redaksional.

 

Paragrafi i parë: Berisha kërkon spektakël me rrugën para zgjedhjeve

Në paragrafin e parë punonjësi i ambasadës amerikane në Tiranë i bën një përmbledhje zyrtarëve të Departamentit të Shtetit në Uashington, ku tregon se si drejtuesit më të mëdhenj të kompanisë që ndërton rrugën kanë ardhur në Tiranë në prill të 2009 me të vetmin mision, që të bindin Berishën të mos e hapë rrugën në qershor, por në tetor, se përndryshe rriten kostot dhe zvogëlohet siguria. Siç e dimë tashmë prej historisë, Berisha ka vendosur ta hapë në qershor, pa e vrarë mendjen as për kostot e rritura, që shqiptarët vazhdojnë t’i paguajnë sot e kësaj dite, as për sigurinë e cënuar, që mund të kishte rezultuar tragjike. Papërgjegjshmëri karakteristike e këtij politikani që kurrë nuk i është trembur sakrifikimit të sigurisë së popullit të vet, mjaft që të ruante pushtetin.

 

1-Përmbledhje: Majk Adams, presidenti i “Bechtel Civil” dhe Sinan Tara, president i “Enka”, patnerit të “Bechtel”, firma që po ndërtojnë rrugën Durrës- Kukës, kanë telefonuar kryeministrin Berisha në 16 prill për t’i shprehur opinionin e tyre se hapja e autostradës në qershor, nuk qe ide e mirë. Berisha është mburrur me autostradën si një nga sukseset më të mëdha të qeverisë së tij, dhe planifikon ta
hapë atë me një spektakël gala për prerjen e shiritit, disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Edhe pse “Bechtel” mendon se është e mundur që të hapet autostrada për qarkullim të pjesshëm (në disa zona vetëm qarkullim me një drejtim), drejtuesit e kompanisë do të përpiqen të bindin kryeministrin se hapja e autostradës para tetorit, muaj kur përfundojnë të dyja drejtimet e rrugës, do t’i shtonte kostot e ndërtimit, do të vononte afatin e përfundimit të punimeve dhe ndoshta do të cenojë sigurinë. Për më tepër, drejtuesit e kompanisë janë të shqetësuar se gjatë verës, kur turistët kosovarë të përdorin autostradën e papërfunduar për të shkuar në plazh, do të ketë reklamë negative.

Paragrafi 2 dhe 3: Arsyet për hapjen e rrugës në tetor, e jo në qershor
Siç bëhet e ditur nga vetë drejtuesit e firmës, Berisha ka qenë në dijeni të secilit detaj, të kostove që rriteshin e të problemeve me sigurinë. Pra vendimi i tij për ta hapur rrugën gjithsesi në qershor ka qenë një veprim totalisht i vetëdijshëm, edhe pse i papërgjegjshëm.

2 -Zv. Presidenti për infrastrukturën i “Bechtel”, Karl Strok, në 16prill i ka rrëfyer zyrës ekonomike të ambasadës se ai dhe shefi i tij Majk Adams (President i “Bechtel Civil”, kanë ardhur në Tiranë për të takuar Kryeministrin Berisha. Sinan Tara, president i “Enka”  partnerit turk të “Bechtel” për projektin e rrugës, do të marrë pjesë gjithashtu në këtë takim. Ata do të përpiqen të bindin Berishën
që të mos e hapë rrugën gjer në tetor, muaj kur të dyja drejtimet e rrugës do të jenë të përfunduar. Sipas Strok, arsyet për shtyrjen e inaugurimit janë:

- Pjesa veriore e tunelit nuk do ë përfundohet (ekipet e shpimit nga të dyja anët nuk do të takohen) para 22 majit, pra më vonë se ç’u parashikua, për shkak të vështirësive të paparashikuara në ndërtim.
- Shumë prej urave kanë nevojë për rrugë dytësore, sepse duhen riprojektuar dhe rindërtuar për shkak të problemeve të  paparashikuara me terrenin.
- Qeveria Shqiptare duhet të kish dhënë një tender për “operator tuneli” që do të ofronte shërbime policore, zjarrfikëse, roje e mbikqyrës. Ky tender nuk është dhënë ende, dhe pritet të jepet në 19 maj. Tuneli nuk mund të përdoret pa një operator përgjegjës.
- Të punosh në autostradë ndërkohë që ajo është e hapur për trafikun bën që të rritet rreziku dhe kostot, ndërkohë që zvogëlohet siguria.
3-Strok tregon se Adams do t’i thotë Berishës se “Bechtel” pret që një linjë e asfaltuar pa ndërprerje të jetë e përfunduar në 27 qershor, edhe pse trafiku do të vijojë të jetë vetëm me një drejtim në tunel. “Bechtel” mund ta hapë rrugën në këto kondita, nëse Berisha insiston, po do preferonte që të mos e hapte, për shkak të kostos e për çështje sigurie. “Bechtel” preferon që tuneli të operojë me policinë dhe zjarrfikësit shtetërorë gjersa të marrë tenderin një operator i përhershëm.

 

Paragrafi 4: Fushata e Berishës, 15 milion euro i paguan populli

Siç kuptohet qartë nga kabllogrami, hapja e rrugës në qershor të 2009, që i garantoi publicitet elektoral Berishës, i ka rritur kostot me
15 milion euro. Këto shpenzime fushate nuk i ka mbuluar PD me biznesmenët e saj, por taksapaguesi shqiptar. Të gjithë shqiptarët, mbështetës të Berishës ose jo, kanë kontribuar në fushatën e këtij të fundit, kuptohet pa konsensusin e tyre. Publikimi i një fakti të tillë në cilindo vend europian do të kishte bërë që kryeministri të dorëhiqej e t’i dorëzohet hetimeve, pa imunitet.

4-“Bechtel” e kupton presionin për të inauguruar rrugën, përballë të cilit gjendet Berisha. Strok bazohej te pretendimi i Edi Ramës se Berisha kishte gënjyer kur tha se rruga do të funksiononte para zgjedhjeve, si dhe te fakti që rruga do të inaugurohej nga një kryeministër socialist. Gjithsesi Strok mendon se vënia në punë e rrugës në qershor do t’i shtojë të paktën 15 milion euro kostos, krahasuar me hapjen në tetor. Gjithashtu, shtypi mund të kritikojë trafikun e rëndë që do të krijohej nga dyndja e turistëve kosovarë në verë, që do të shkaktonte vonesa e radhë të gjata në pjesët e papërfunduara të rrugës.

 

Paragrafi 5: Olldashi, disident potencial

Pas disa vjetësh, kur të ketë shpëtuar nga hija e rëndë e Berishës, Sokol Olldashi do të mund të mburret me këtë kabllogram. Aty shkruhet se ai, si ministër i transportit, ndoshta s’ka qenë dakord me hapjen e rrugës para përfundimit. Mirëpo, drejtuesit e “Bechtel”
mendojnë se as Olldashi, as disidentët e tjerë, nuk kanë kurajo që ta çojnë këtë opinion gjer para liderit të pagabueshëm, doktor Berishës që ndër të tjera, e ushtron autoritetin e vet edhe në lëmën e inxhinjerisë e arkitekturës.
5-Sipas Strok, drejtori i Drejtorisë së Rrugëve në Ministrinë e Transporteve, dhe ndoshta vetë ministri Olldashi, janë të mendimit që hapja e rrugës duhet shtyrë për në tetor, për arsye sigurie, mirëpo ai mendon se askush nuk ka dëshirë t’ia komunikojë këtë gjë kryeministrit. Strok gjithashtu mendon se drejtori i Drejtorisë së Rrugëve mund të ketë probleme ligjore nëse firmos një shtesë në kontratë për kosto të tjera, dhe në fakt ai u akuzua më vonë për faktin se i kishte shtuar kostot për të mbuluar shpenzimet e fushatës së Berishës.

 

Paragrafi 6: Arsyet se pse kostot e rrugës u rritën aq shumë

Trefishimi i kostove të parashikuara ka ardhur, sipas ekspertëve të “Bechtel” për shkak të mospërputhjes së volumit të punës së parashikuar, me atë që është dashur në të vërtetë. Për gërmimet parashikimi ka qenë 7 milion metër kub, ndërkohë që në realitet u
desh të gërmoheshin mbi 32 milion metër kub. Përshtypja që të krijohet është se ekspertët e përzgjedhur, të cilët kanë gabuar duke parashikuar një punë pesë herë më të lehtë se ç’ishte në të vërtetë, kanë gabuar me 500%. Gabim jo shumë i vogël për ekspertë
të një firme të shquar ndërkombëtare.

6-Strok vlerëson se punimet do të përfundojnë diku nga pranvera apo vera e vitit që vjen. Edhe pse projekti ka qenë shumë fitimprurës për “Bechtel”, ai tregon se disa nga arsyet për rritjen e tillë të kostove ka qenë fakti që fillimisht u vlerësua se do të gërmoheshin vetëm 7 milion metra kub, por në kohën që u bë kontrata ky vlerësim arriti 14 milionë metër kub, ndërsa aktualisht janë gërmuar 32 milionë metër kub.

 

Paragrafi 7: Kosto për makiazh, por jo për siguri

Vetë zyrtarëve të ambasadës iu duket qesharake mania e Berishës për t’u dukur. Ata theksojnë në kabllogram se Berisha ka kërkuar që të vijëzohet gjithë gjatësia e tunelit, edhe pse në fakt e nevojshme ishte të vijëzoheshin vetëm 500 metrat e para dhe të fundit të hyrjes
në tunel. Për këtë “makiazh” të panevojshëm, taksapaguesi shqiptar ka paguar miliona euro shtesë. Ndërkohë qeveria e ka shtrënguar dorën kur vjen puna te siguria, duke mos ndërtuar rrethim gjatë rrugës. Këtë gjë e kanë vënë re gjithë ata udhëtarë që shpeshherë
detyrohen të frenojnë prej ndonjë lope a ndonjë fshatari që qetë qetë ecën në mes të autostradës të cilën asgjë nuk e ndan prej fushave e maleve përbri.

7-Koment: Fatkeqësisht kjo autostradë, që sigurisht ka për të sjellë zhvillim ekonomik për fshatrat afër rrugës, që do të shtojë vizitat për portet e për plazhet shqiptare dhe që do të ndihmojë ekonomitë e Kosovës dhe Maqedonisë, është kthyer në temë të nxehtë politike. Gjatë një vizite në kantier, në vjeshtën që shkoi, Berisha vendosi të kërkonte vijëzimin e tunelit për gjithë gjatësinë e tij, e jo thjesht në 500 metrat e para dhe në ato të fundit, duke i shtuar miliona euro kostos e duke e vonuar hapjen thjesht për çështje  aparence. Kjo është ironike, pasi qeveria vendosi të mos shpenzonte para për rrethimin e sigurisë gjatë rrugës, duke i lejuar fshatarët e kafshët e tyre të kalojnë nëpër rrugë e nëpër ura, bashkë me veturat që ecin me 120 km/orë.